Ndihma Bullgare për Zhvillim” promovon përdorimin sistematik të qasjes administrative për të luftuar krimin e organizuar në Shqipëri
05 janar 2026 Новини
Në kuadër të projektit „Nxitja e përdorimit sistematik të qasjes administrative për të luftuar krimin e organizuar në Shqipëri“, të realizuar nga Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes (CSDG) dhe të financuar nga „Ndihma Bullgare për Zhvillim“, u zhvilluan me sukses katër forume publike universitare në Elbasan, Vlorë, Durrës dhe Shkodër.
Ngjarjet krijuan një platformë për dialog mes komunitetit akademik, institucioneve publike, shoqërisë civile dhe studentëve, me fokus në analizat rajonale për parandalimin e krimit të organizuar përmes instrumenteve administrative.
Në Elbasan u prezantua analiza, e përgatitur nga Eglantina Paloshi nga Universiteti „Aleksandër Xhuvani“, me theks në rolin e administratës lokale si linjë e parë e parandalimit dhe nevojën për përdorimin sistematik të kompetencave administrative.
Në Universitetin „Ismail Qemali“ në Vlorë, në prani të kryetares së bashkisë znj. Bruna Mersini dhe prefektes znj. Evis Alushi, autorët e studimit Dr. Asoc. Jonida Mehmetaj dhe Dr. Asoc. Stella Meçaj prezantuan përfundimet për rajonin e Vlorës, ndërsa diskutimet theksuan nevojën për një përgjigje të koordinuar dhe të qëndrueshme ndërsektoriale kundër shfaqjeve ekonomike të krimit.
Në Universitetin „Aleksandër Moisiu“ – Durrës, dokumenti i përgatitur nga Dr. Andon Kume theksoi vulnerabilitetin e sektorëve të ndërtimit, menaxhimit të territorit, prokurimeve publike, transportit dhe logjistikës. Në diskutim morën pjesë z. Edison Jonuzi, sekretar i përgjithshëm i Prefekturës së Qarkut Durrës, znj. Marsi Muçaj, përfaqësuese e Këshillit Bashkiak Durrës/Këshillit të Qarkut Durrës, dhe Prof. Asoc. Evis Gurunja, zëvendësdekan i universitetit. Pjesëmarrësit nënvizuan rëndësinë e bashkëpunimit real dhe të formalizuar ndërinstitucional dhe përdorimin e instrumenteve digjitalë për rritjen e transparencës dhe kontrollit.
Ngjarja përfundimtare rajonale u zhvillua në Universitetin „Luigj Gurakuqi“ – Shkodër. Morën pjesë znj. Holta Duda, prefekte e Qarkut Shkodër, znj. Teuta Qyteza, nënkryetare e Bashkisë Shkodër, përfaqësues të drejtorisë rajonale „Tatime“, Këshillit Bashkiak të Shkodrës dhe sektorit joqeveritar. Studimi „Promovimi i përdorimit sistematik të qasjes administrative për luftën kundër krimit të organizuar në Shqipëri: rasti Shkodër“ u prezantua nga Assoc. Dr. Florian Bjanku, i cili e përshkroi qasjen administrative si shtyllë plotësuese e drejtësisë penale dhe instrument kyç për parandalimin e hershëm.
Përfundim kyç i përgjithshëm është se, pavarësisht kuadrit ligjor ekzistues, zbatimi i instrumenteve administrative mbetet i pjesshëm dhe jo sistematik për shkak të analizës së kufizuar të rrezikut, mekanizmave të vonuar dhe bashkëpunimit të pamjaftueshëm ndërinstucional.
Diskutimet lidhën temën me procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, duke theksuar parandalimin dhe integritetin institucional dhe duke afirmuar universitetet si partnerë strategjikë mes shkencës, politikave dhe praktikës.
Ambasada e Republikës së Bullgarisë në Tiranë vlerëson se cikli i forumeve dhe analizat rajonale krijuan një bazë të fortë analitike për fazat e ardhshme të projektit dhe kontribuuan ndjeshëm në debatin profesional për parandalimin e krimit të organizuar, sundimin e ligjit dhe integritetin institucional në Shqipëri.
