Ambasada Bullgare në Tiranë shënoi Festën kombëtare – 3 Marsin me pritje tradicionale
06 mars 2026 Новини
Më 4 mars 2026, Ambasada e Republikës së Bullgarisë në Tiranë shënoi Festën Kombëtare të Bullgarisë – 3 Marsin – me një pritje, në të cilën ishin të pranishëm përfaqësues të institucioneve shqiptare, anëtarë të trupit diplomatik, politikanë, përfaqësues të biznesit, të qarqeve akademike dhe kulturore, të komuniteteve fetare, të shoqatave të minoritetit bullgar në Shqipëri, si dhe miq të Bullgarisë.
Në fjalimin e tij drejtuar të ftuarve, ambasadori Ivaylo Kirov theksoi rëndësinë e 3 Marsit si simbol i rilindjes kombëtare, lirisë dhe fortësisë së shtetit të Bullgarisë.
Ishte theksuar dinamika pozitive e marrëdhënieve bullgaro-shqiptare dhe intensifikimi i dialogut politik gjatë viteve të fundit, si dhe shkëmbimi aktiv i vizitave në nivele të larta ndërmjet dy vendeve. Ishte nënvizuar rëndësia e bashkëpunimit në fushat e sigurisë, infrastrukturës, zhvillimit ekonomik dhe stabilitetit rajonal, duke theksuar edhe rolin strategjik të Korridorit VIII për ndërlidhjen midis Adriatikut dhe Detit të Zi.
Bullgaria mbetet një mbështetëse e qëndrueshme e perspektivës evropiane të Shqipërisë, e bindur se integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian është thelbësor për stabilitetin dhe prosperitetin e rajonit.
Ambasadori Kirov shprehu pozitën e palëkundur të Bullgarisë në përkrahje të Ukrainës në luftën e saj kundër agresionit rus dhe shqetësimet rreth zhvillimeve aktuale në Lindjen e Mesme, përfshinë situatën në Iran.
Të pranishmit i përshëndeti z. Endrit Yzeiraj, zëvendësministër i Financave i Shqipërisë. Ndër të ftuarit që respektuan festën tonë dallohen emrat e ministrit të brendshëm dhe të ministrit të bujqësisë – z. Besfort Llamallari dhe z. Andis Salla, zëvendësministres së punëve të jashtme znj. Megi Fino, kryetares së komanduar të Bashkisë së Tiranës znj. Anuela Ristani, kryetarit të grupit parlamentar të Partisë Socialiste z. Taulant Balla, etj.
Atmosphera solemne e ngjarjes u plotësua me një interpretim të shkëlqyer muzikor të sopranos së famshme shqiptare me rrënjë bullgare Ramona Tullumani. Ajo këndoi himnet kombëtare të Republikës së Shqipërisë dhe të Republikës së Bullgarisë, si dhe këngën emblematike bullgare “I bukur je, o pylli im”.
Eventi u realizua tradicionalisht falë mbështetjes së bankës FIBank.
